Në Gjermani mendojnë teste koronavirusi për tifozët në stadium!

Sporti një ditë duhet të luhet përsëri, padyshim edhe futbolli, pasi jeta e njeriut nuk mund të imagjinohet pa lirinë për aktivitetin e përditshëm apo të përjavshëm që lidhet me kënaqësinë. Një “dreq” virusi nuk mund të na mbyllë brenda përgjithmonë! Gjithsesi, rreziku ekziston ndaj edhe po shikohen mundësi sesi të përshtatemi me kushtet e reja.

Një Profesor në Gjermani, Fric Zërgel (69 vjeç), kreu i Institutit për Kërkimin Biomjekësor dhe Farmaceutik, kërkon që tifozët e futbollit të bëjnë testimin për koronavirusin. Zërgeli kërkon nga klubet që të bashkëpunojnë me tifozët, dhe t’u kërkojnë një analizë gjaku për antitrupat (antikorpet), që janë mbrojtës të organizmit nga viruset. Ai argumenton se testet duhet të bëhen nga tifozët që ishin në stadiume 3 javë më parë, në ndeshjet e fundit, dhe shumë prej të cilëve mund ta kenë marrë virusin, edhe pa e kuptuar, pra të jenë shëruar vetë, pa ndihmë mjekësore. Analiza do të tregojë antitrupat që ka krijuar trupi i tyre për mbrojtje. Kjo do të ndihmojë kërkuesit për të gjetur mënyrat më të mira për ta luftuar virusin, dhe po ashtu do të tregojë shkallën e vërtetë të infektimit të popullsisë. “Nga 500 deri në 1000 tifozë për çdo klub të madh mjafton që të bëjnë testin, për të kuptuar tendencën”, – thotë Profesori.

Sfidanti.al