Jemi në kohë të pasigurt dhe planet nuk mund të bëhen me siguri. Pra, është e kotë të bisedohet mbi ato baza që nesër mund të mos ekzistojnë. Kështu mendon Bajerni, dhe kështu shprehet shefi i tij ekzekutiv, Karl-Hajnc Rumenige, duke sqaruar për mediat strategjinë e klubit të madh gjerman. “Askush nuk e di sot sesi kriza e koronavirusit do të ndikojë tek futbolli në javët dhe muajt në vazhdim, – thotë ai për “Tagescajtung” (Tages Zeitung), – për këtë arsye ne i kemi ndalur bisedimet për transferimet e mundshme të verës, pra për përforcimet e reja. Mendoj se klubet do të konsiderojnë koston e lartë të transferimeve dhe rrogat e larta, duke pasur parsysh situatën”.
Gjithsesi, tek Bajerni nuk po rrinë duarlidhur. Drejtuesit duan që të rinovojnë me lojtarët që kanë aktualisht në skuadër, si kapitenin Nojer, Tomas Mylerin, Zherom Boatengun, Havi Martinezin, Sven Ulrajhun e Ron-Torben Hofmanin, apo edhe Tiago Alkantarën. Mbetet edhe çështja e David Alabës, dhe mediat gjermane shkruajnë se Bajerni po mendon shkëmbim me Leroi Sanenë e Mançester Sitit. “Përralla dhe asgjë e vërtetë”, – thotë Rumenige. Sipas mediave, Alaba dëshiron të shkojë në Spanjë, nëse nuk rinovon.
Sfidanti.al