Në Angli po akuzojnë qeverinë se shtoi vdekjet nga një … garë me kuaj!

Një traditë 160-vjeçare është shumë e vështirë që të preket. Gara e famshme e Çeltënhemit në Angli, një festival i kalërimit që daton prej 1860-ës, u lejua nga autoritetet britanike që zhvillohej edhe këtë vit, pavarësisht rrezikut të madh nga koronavirusi. Kjo ndodhi, dhe u ndoq nga kritika të forta, që kanë krijuar polemika në Mbretërinë e Bashkuar.

Ish-kampioni i kalërimit, Sër Entoni Pitër Mekkoi, ishte një nga fshikulluesit më të mëdhenj të qeverisë. “Po humbasim kaq shumë jetë njerëzore sepse Festivali i Çeltënhemit u lejua që të zhvillohej, – dha personaliteti irlandezoverior, – organizatorët nuk patën shumë faj, sepse ata ndoqën udhëzimet e qeverisë. Ata kërkuan këshilla, ndërsa tani ne po numërojmë viktimat që janë me mijëra”.

Spektakli i madh i hipizmit u mbajt një muaj më parë, nga 10 deri në 13 mars, me një numër të përgjithshëm spektatorësh prej mbi 250 000. Pra çerek milioni njerëz u mblodhën në pak ditë, me një mesatare ditore prej gati 70 000 vetësh. Sipas të përditshmes “Dhë Tajms” (The Times), me qindra njerëz që kishin ndjekur festivalin, u shprehën më pas se patën simptoma të koronavirusit.

Qeveria britanike vendosi ndalimin e grumbullimeve të mëdha në 16 mars, ndërsa bëri karantinë totale të aktiviteteve sportive e kulturore në 23 mars. Epidemia goditi rëndë edhe vetë kryeministrin Boris Xhonson, që u desh të mbahej në terapi intensive dhe pohoi se rrezikoi të humbiste jetën. Britania e Madhe ka mbi 10 000 të vdekur nga koronavirusi, duke qenë një nga vendet më të goditura.

Sfidanti.al