Shumë vjet më parë, në përurimin e palestrës së re të boksit në ish-Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, ishte edhe legjenda e boksit të Kosovës, Mehmet Bogujevci. Ndërsa po pinim një kafe në ish-lokalin “Viola”, atë me shatërvan në cepin verilindor të stadiumit, i thashë Bogujevcit se ndoshta palestra nuk ishte shumë e mirë, e se ndoshta ai në karrierë duhet të ishte mësuar me tjetër nivel. “Është shumë e mirë gazetar, – u përgjigj kampioni i dikurshëm, – ka hapësirë, ajër, dritë, ka gjithçka. Në Nju Jork kam parë palestrat nga ku kanë dalë kampionët e botës, dhe janë shumë më të këqija se kjo. Kampion nuk të bën palestra, por dëshira që ke për t’u bërë kampion”.
Kjo histori m’u kujtua kur doli lajmi se Myrto Uzuni u transferua nga Lokomotiva e Zagrebit tek Ferencvaroshi i Hungarisë për shifrën 1.86 milionë euro. Vetë Lokomotiva njoftoi zyrtarisht për shumën 14 milionë kuna kroate, dhe me kursin e shkëmbimit 1 kuna=0.13 euro del shifra e mësipërme. Uzuni doli nga shkolla sportive e Tomorit të Beratit, aty ku në vitet 80-të doli i famshmi Kovaçi si dhe shumë futbollistë të tjerë. Pasi kaloi provën e fushave me baltë, shkëlqeu me Tomorin, Apoloninë e pastaj me Laçin, ai provoi veten në Kroaci.
Ndryshe nga shumë lojtarë të tjerë shqiptarë, Uzuni e shfrytëzoi shansin, dhe sipas të gjitha gjasave, do të jetë një sukses edhe në Hungari. Ai luajti 66 ndeshje zyrtare për Lokomotivën, shënoi 20 gola dhe shërbeu 15 asistë, ndërsa do të ketë rast të bëjë më shumë pasi do të mbyllë sezonin, ku do të luajë në kampionat dhe në finalen e Kupës së Kroacisë. Siç komenton “Jutarnji Listi”, “këtë sezon, lojtari i Shqipërisë u bë tmerri i mbrojtësve dhe portierëve të ekipeve kundërshtarë”. Uzuni 25-vjeçar do të marrë një rrogë prej 300 000 eurosh në sezon.
Sfidanti.al