Moize Kin është me fat që ka një trajner si Maks Alegri

Jo pa arsye është një nga njerëzit e stolit më të suksesshëm të epokës sonë. Masimiliano Alegri, i dyshuar si tepër i butë kur drejtonte Milanin, po tregon gjithnjë e më tepër se është edhe një shok, një vëlla i madh apo një baba për futbollistët tek Juventusi (gjithnjë, në varësi të moshës). Një nga ata që duhet ta kuptojë këtë është Moize Kin, talenti i ri juventin, i cili tani është në qendër të vëmendjes së mediave dhe publikut.

Një Kin të tillë, Alegri vendosi ta linte në stol në ndeshjen ndaj Empolit, ndonëse Ronaldo nuk luante, dhe Dibala u la jashtë për të mos rrezikuar. “Diferencën në fushë, në fund të fundit, do ta bëjë mendja, – thotë Alegri, – Kin ka cilësi të mëdha, por duhet ende të përmirësohet ndjeshëm. Kryesor nuk do të jetë talenti, por dëshira për t’u sakrifikuar”.

Trajneri tregon se vendosi ta linte në stol adoleshentin, në momentin kur e pa pasi u kthye nga ndeshjet me kombëtaren. “Kur erdhi tek ne, ishte aq i lodhur sa nuk dinte të orientohej, – tha Alegri, – kjo, sepse ai është i ri dhe i shpenzon energjitë pa kujdes, por po ashtu u lodh sepse ishte në qendër të vëmendjes mediatike. Çështje psikologjike, ndaj vendosa ta lija në stol”. Kin shënoi golin e vetëm të ndeshjes ndaj Empolit, 3 minuta pasi hyri në fushë.

Sfidanti.al