Nuk ia doli dot të ngrinte në qiell trofeun e Kupës së Botës, dhe kjo do të ketë qenë dhimbja e tij më e madhe. Gjithsesi, Luka Modriç arriti një revansh të plotë personal ndaj gjithë planetit, duke fituar çdo trofe individual këtë vit.
Numri 10 i Kroacisë fitoi Topin e Artë të Botërorit, duke qenë lojtari më i mirë në Rusi. Më pas, ai u shpall Lojtari më i mirë i Europës nga UEFA, për sezonin e fundit, vijoi Çmimi i Lojtarit më të mirë në botës nga FIFA, dhe përfundoi me Topin e Artë të “Frans Futbollit”.
Ai u vlerësua si numri 1 nga juria e FIFA-s në Botëror, nga kapitenët e kombëtareve, trajnerët e kombëtareve, nga gazetarët dhe nga publiku, dhe po ashtu edhe nga gazetarët e “Frans Futbollit”. Diferenca e tij në votime ishte e madhe, ashtu si edhe personaliteti i tij i veçantë.
Siç shkruan gazeta “Marka”, Lukita është një organizator, jo një golshënues, një lojtar ekipi, jo një “solist”, një tip normal, larg nga tatuazhet, pozat, lakmia për lavdi publike dhe ekstravaganca të tjera. Ballkani ka tashmë Topin e tij të dytë të Artë, pas atij të fituar në 1994 nga Hristo Stoiçkov i Bullgarisë dhe Barcelonës.
Luka Modriç shkëlqeu në “Pallatin e Madh” në Paris, në krah të gruas së tij, Vanja Bosniç (në foto), dhe fëmijëve, Ivano, Ema e Sofija.
Sfidanti.al