Misioni “i pamundur” i Kristianos, si të marrë “në qafë” dy skuadra njëherësh!

Ishte tek Juventusi dhe në fund të verës kaloi me shpejtësi në “Old Traford” tek Mançester Junajtidi. Kthimi i Kristiano Ronaldos në ish-ekipin e tij u kthye në historinë e madhe të stinës, dhe u bë madhështore me dy golat në debutim ndaj Njukasëllit, veçse që nga ajo kohë gjërat kanë ndryshuar. “La Gazeta delo Sport” i kushton një shkrim ku titullon, gjysmë me shaka e gjysmë seriozisht se “Kristiano është në një mision të pamundur për të shkatërruar dy skuadra me një goditje të vetme”. Juventusi po vuan për golat, pasi u largua portugezi dhe është prapa në renditjen e Serisë A. Man. Junajtidi po vuan më pak për golat, por nuk po gjen dot ekuilibrin me superyllin në përbërje, gjithashtu duke mbetur prapa vendeve të para në Premier Ligë. Në një sezon të vetëm, arritjet e Kristianos duket se do të jenë të veçanta, apo siç është mësuar ai, me rekorde.

Sfidanti.al