Nuk harron kurrë emrin që ka mbi shpinë dhe nuk përton të thotë atë që mendon. Paolo Maldini deklaroi se “jemi me vonesë, por do nxitojmë, mendoj se ka kohë”. Legjenda kuqezi rinovoi me Milanin pikërisht në ditën e fundit përpara skadimit të kontratës së tij si drejtor teknik, duke qenë sërish në krye të departamentit bashkë me Frederik Masarën si drejtor sportiv. Nuk kuptohet mirë përse tek Milani u prit kaq gjatë për t’i dhënë besimin një njeriu që ishte pjesë e rëndësishme e fitores së titullit, edhe pse për skuadrën pati më pak shpenzime sesa tek Interi apo Juventusi. Gjithsesi, Maldini rinovoi për dy vjet dhe theksoi se “jam shumë i lumtur”, ndonëse nuk mungoi “kunji” kur tha se “më në fund rinovuam”. Edhe ditën e djeshme, palët mbetën në zyrë deri në orën 22:00 të natës, dhe madje zyrtarizimi erdhi shumë më vonë. Besohet se Maldini vuri si kusht ndaj drejtuesve që ai të kishte autonomi në punën e tij.
Sfidanti.al