Me Bruklinin u mendua se do të bënte diçka të madhe, pak a shumë të ngjashme me atë që ngjau te Golden Stejt Uorriorsat. Kevin Duranti fitoi dy tituj radhazi në NBA me kalifornianët, madje duke dalë lojtari më i mirë i finaleve, por “klima” e Nju Jorkut nuk i erdhi aspak për mbarë. Tashmë një veteran dhe kampion olimpik në fuqi, Duranti shkaktoi një tronditje të madhe në basketbollin amerikan duke i kërkuar Bruklinit që të largohet. Mediat e quajnë “një tërmet”, ndërsa ekipet e mundshme jepen Feniksi apo Majemi. Flitet për dy skuadra shumë të forta, nënkampionen e sezonit të kaluar dhe numrin 1 të sezonit të rregullt në Konferencën e Lindjes këtë vit. Mesa duket, Duranti ka nevojë për një ekip të madh që të fitojë titullin dhe nuk është si një Majkëll Xhordan apo Lebron Xhejms që e bënin vetë ekipin që të fitonte.
Sfidanti.al