Trajneri Stefano Pioli u detyrua t’i qortonte të vetëm që sikur po e bëjnë shpesh një gjë të tillë. Jo edhe aq në Serinë A, sesa në Champions, por ngarkesa po nis të ndihet edhe në Itali. Kuqezinjtë fituan 4-2 në fushën e Bolonjës, por ky Milan nuk është ajo “makineria” e fuqishme që tregon rezultati. Edhe pse ishte në 2-0 epërsi, edhe pse ishte në epërsi numerike, sërish “fjeti gjumë” dhe Bolonja u përgjigj duke barazuar. Më pas u desh të dilte edhe një tjetër bolonjez me të kuqe, që të kishin epërsi të dyfishte numerike për të shënuar golat e fitores.
“Në 2-0 menduam se ndeshja mbaroi dhe mendime të tilla të bëjnë gjëmën , – tha Pioli, – për fat patëm cilësinë për të shënuar (por, edhe epërsinë numerike)”. Trajneri i Bolonjës, Sinisha Mihajloviç deklaroi se nuk do të komentojë arbitrin për dy kartonët e kuq, por do të vlerësojë ekipin e tij që pati epërsi ndaj Milanit sa kohë ekipet ishin 11 me 11 në fushë. Leao dhe Kalabria shënuan për miqtë, Ibrahimoviç (autogol) dhe Barrou barazuan, ndërsa në 6 minutat e fundit shënuan Benaser dhe Ibrahimoviç. Milani ka 25 pikë ndaj 24 të Napolit që luan në fushën e Romës në orën 18:00.
Sfidanti.al