Milani fiton më në fund në Champions, Pioli: Një hap përpara!

Janë thënë shumë fjalë se kjo skuadër nuk e ka ende stofin europian, dhe për shumë vjet nuk po ia del që ta “blejë një kostum” të tillë. Gjithsesi, Milani është 7 herë kampion i Europës dhe padyshim një ditë mund të kthehet. Trajneri Stefano Pioli beson se fitorja 3-1 ndaj Dinamos së Zagrebit në “San Siro” ishte një hap më shumë drejt realizimit të qëllimit. “Zhvilluam një ndeshje shumë të mirë, – tha tekniku kuqezi, – mund të kishim shënuar më shumë gola. Është një hap më shumë drejt asaj që duam”. Olivie Zhiru (gjithmonë ai) me penallti, Aleksis Selemekers dhe Tomazo Pobega ishin autorët e rrjetave, që nuk erdhën aq shpejt. i përhershmi Mislav Orshiç shënoi për 1-2 për kroatët që kishin në fushë kapitenin e “paoksidueshëm” Arijan Ademi. Milani ka 4 pikë në 2 ndeshje, një bilanc i mirë dhe mendohet se këtë herë do të dalë nga grupi për të “pranveruar” në Champions.

Sfidanti.al