Siti dhe Halandi e hodhën “lumin”, por si i bëhet me Juventusin?!

Disa tifozë thirrën “largoni Alegrin” përpara ndeshjes ndaj Benfikës në Torino, por Arrivabene u dha një përgjigje “të merituar”. Gjithsesi, fakti është se në stadium shumë më tepër tifozë do të kenë menduar pikërisht këtë, nëse koha e trajnerit të shquar ka marrë fund, ndërsa Juventusi u mund në mënyrë të rëndë në “Alianc” në Champions duke qenë tani në rrezik serioz për t’u eliminuar. Disfata në ndeshjen e parë në fushën e Paris SG (1-2), tani kjo e dyta në Itali, dhe njëkohësisht fitorja 3-1 e francezëve në Izrael janë një kombim thuajse fatal.

Goli i shënuar nga Arkadiush Milik (i përhershmi, tashmë) nuk solli fitoren, pasi portugezët reaguan dhe përmbysën shifrat me Zhoao Marion me penallti dhe David Nereshin. Problemi më i madh sidoqoftë nuk ishte humbja. Ashtu si ndaj Fiorentinës, madje edhe siç ndodhi kundër Salernitanës, Juventusi luajti dobët, aq sa portugezët patën 54 për qind mbajtje topi, patën 19 gjuajtje ndaj 12 të vendasve, 7 në portë në krahasim me 3 dhe kornet 11-4! Më keq se kaq as tifozi më pesimist nuk e mendonte. Nuk vlejnë Di Maria, Bonuçi, Vlahoviç dhe nuk mund të justifikohet gjithçka me mungesat e Kiezës apo Pogbasë. Alegri padyshim që rrezikon shumë.

Në mbrëmjen e Championsit pati shumë rezultate që spikatën, që nga Napoli që fitoi 3-0 në Skoci me Rejnxhërsin, Salcburgu që i mori barazimin Çelsit në “Stemford Brixh”, suksesi i vuajtur i Realit kundër Lajpcigut apo përmbysja e Mançester Sitit (2-1) ndaj Dortmundit, ku Halandi më në fund e shënoi golin “e tij”. Gjithsesi, askush nuk goditi më shumë sesa humbja e Juves.

Rezultatet e së mërkurës

Grupi A: Rejnxhërs-Napoli 0-3. Renditja: Napoli 6, Liverpuli 3, Ajaksi 3, Rejnxhërsi 0.

Grupi E: Milan-Dinamo Zagreb 3-1, Çelsi-Salcburg 1-1. Renditja: Milani 4, Dinamo 3, Salcburgu 2, Çelsi 1.

Grupi F: Shahtar-Sëlltik 1-1, Real Madrid-Lajpcig 2-0. Renditja: Reali 6, Shahtari 4, Sëlltiku 1, Lajpcigu 0.

Grupi G: FC Kopenhagen-Sevilja 0-0, Man. Siti-Dortmund 2-1. Renditja: Man. Siti 6, Dortmundi 3, FC Kopenhagen 1, Sevilja 1.

Grupi H: Juventus-Benfika 1-2, Makabi Haifa-Paris SG 1-3. Renditja: Paris SG 6, Benfika 6, Juventus 0, Makabi Haifa 0.

Sfidanti.al