Ishte e qartë që nuk mund të cilësoheshin miq, por kjo tejkalon gjithçka. Mund të jetë e pamendueshme që drejtuesit e lartë të Barcelonës të flisnin keq për Lionel Mesin, aq më pak ta ofendonin, por kështu ka ndodhur me presidencën e kaluar. Mediat spanjolle botojnë mesazhet telefonike të ish-presidentit Zhozep Maria Bartomeu, dhe të drejtuesve të tjerë të shkuar në “Kamp Nou” ku Mesi cilësohet madje “mi kanalesh”. Mesazhet, sipas medias “El Periodiko”, së cilës i referohej edhe “Marka” e Madridit, i përkasin 31 janarit 2021, kur në shtyp dilte një pjesë e kontratës së re të argjentinasit. Lidhja është e qartë, që kanë qenë drejtuesit e klubit që ia dhanë shtypit kontratën. Ofendimin “mi kanalesh” e shkruajti Gomez Ponti, ish-shef i departamentit juridik të klubit.
Dihej që raportet mes Bartomeut dhe ish-kapitenit katalanas nuk ishin aspak të mira, edhe pse Mesi kishte një akord të jashtëzakonshëm financiar me Barçën, sipas nënshkrimit të fundit në 2017. Përfundimisht, argjentinasi doli publikisht kundër presidentit dhe kupolës së klubit në një intervistë të shtatorit të vitit 2020, ndërsa Bartomeu u detyrua të jepte dorëheqjen një vit më vonë, duke lënë klubin në gjendje shumë të vështirë financiare. Mesi u largua përfundimisht verën e 2021-it, ndërsa nuk u gjet një akord me presidentin e ri Laporta, besohet për shkak të borxheve të larta të Barcelonës që kalonin 1 miliardë eurot.
Sfidanti.al