Rekordmeni spanjoll i çiklizmit: Rekordin ua dedikoj familjarëve që humbën jetën!

Në 31 dhjetor të 2021-it një grup praktikuesish të sportit morën një vendim. Veteranët spanjollë do të synonin që gjatë vitit në vazhdim të tejkalonin 40 000 km me biçikletë, rekordin e vendosur nga një çiklist nga Saragoza. Mes tyre ishte edhe një çiklist amator, i quajtur Dalmasio de Dios Frias. Ishte pikërisht 67-vjeçari nga qyteti i Torrelavegës që ia arriti qëllimit pas një aventure me të vërtetë të pabesueshme në 2022. Rutina e ditës ishte nisja e pedalimit në orën 7 e gjysmë të mëngjesit, pas ngritjes herët nga shtrati dhe kryerjes së veprimeve të domosdoshme. “Një ditë më shumë për mua”, – thotë ai.

Velodromi i qytetit është shtëpia e tij e dytë, ku ai kalon deri në një orë e gjysmë. Pikërisht këtu nisi dashuria e tij për çiklizmin, të cilin e praktikon për 30 vjet me radhë. “Nuk është njësoj. Ka ditë që është më ftohtë, ka ditë që bie shi. Por, sido që të jetë, unë nuk heq dorë”. Pas velodromit, ai del të shijojë natyrën. Për fat, rajoni i Kantabrias në Spanjën veriore ka shumë rrugë kodrinore e malore dhe një panoramë të shkëlqyer. Këtë vend nuk do ta harrojë. Në Puerto de Palombera, në lartësinë 1260 metra mbi nivelin e detit, ai arriti shifrën emblematike të 50 000 km.

“Kam pedaluar në çdo ditë të vitit, pa ndaluar asnjëherë, – thotë veterani – Doja vetëm rekordin. Kam përballuar vështirësi, njerëz të mi të afërt kanë humbur jetën, por unë kam vazhduar. Kam një homazh për ta”. Pas 365 ditësh, veterani spanjoll e mbylli aty ku e nisi, në velodromin e qytetit. 52 420 km janë një rekord për moshën mbi 67 vjeç, të paktën në Spanjë.

Sfidanti.al