Mediat spanjolle thonë “vjedhje”, por në Francë ka festë për “një tjetër kupë në shtëpi”!

Në futboll rëndësi ka të fusësh topin në rrjetë. Jo vetëm kaq, por edhe që momentet e diskutueshme të interpretohen me të drejtë apo jo, në favorin tënd. Franca i pati të dy këta elementë në krahun e vet në finalen e Ligës së Kombeve që fitoi 2-1 ndaj Spanjës në “San Siro” të Milanos. Festë e madhe për “blutë” e trajnerit Deshamp”, por akuza të ashpra të spanjollëve për pozicionin e Kilian Mbapesë. Iberikët thirrën “jashtë loje”, pasi Mbape ishte përtej mbrojtësit të fundit kur Hernandez dha pasimin, por VAR-i interpretoi rregullin e ri duke e quajtur të vullnetshme prekjen e Erik Garsisë.

“Po ndryshojnë futbollin, – jep alarmin “Marka”, – interpretim i pakuptueshëm nga VAR-i për rregullin qesharak të ofsajdit!”

“Padrejtësi, – thotë “Sporti” e Barcelonës, – një kombëtare e madhe e Spanjës humb ndaj Francës në mënyrë skandaloze, gol i parregullt!”

Spanja pati gjithashtu pretendim për penallti në pjesën e parë, kur mbrojtësi Kunde preku topin me dorë në zonë.

Gjyqtari nuk sinjalizoi asgjë, duke mos e quajtur të parregullt. Franca fitoi me përmbysje pasi fillimisht, “furitë e kuqe” kaluan në avantazh me golin e Ojarzabalit në pjesën e dytë. Për fatin e kampionëve të botës, Benzema është kthyer në ekip dhe ishte merita e tij për barazimin pas dy minutave. Në fund vendosi Mbape, dhe jehona në Francë ishte e madhe.

“Një tjetër kupë në shtëpi, – feston “L’Ekip”, – tre vjet pas titullit botëror, Blutë fshijnë dështimin në Europian!”

“Fitorja e bukur e Bluve, – ka në kopertinë “Lë Parizien”, – Ekipi i Deshampit shkëlqen, me madhështorin Benzema e Mbapenë!”

Sfidanti.al