Më në fund dita e Ronaldos, shënon golat e parë në Serinë A

Kjo ditë do të vinte, por përse të vononte kaq shumë. Gjithsesi, i duruari i fituari, dhe Kristiano Ronaldo iu gëzua më në fund golit të parë në Serinë A. Më saktë, ishin dy rrjeta për çlirimin personal, por edhe për fitoren e ekipit me shifrat 2-1 ndaj Sasuolos në stadiumin “Alianc Arena”.

Për fat, portugezi ia doli në Torino, përpara më shumë se 40 000 tifozëve juventinë, të cilët u detyruan të prisnin jo edhe aq pak. Pjesa e parë përfundoi 0-0, por pa kaluar shumë minuta pas pushimit, Ronaldo bëri detyrën, në të 50-ën e të 65-ën. Gjithsesi, pritjen më torturuese e pati CR7-ta, me gati plot një muaj, që kur Seria A filloi në 18 gusht e deri këtë të diel. Rrallë në karrierë mund t’i ketë qëlluar të durojë kaq gjatë pa specialitetin e tij, rrjetën.

Përse kaq vonë zhbllokimi? Besohet për shkak të kohës që iu desh për përshtatje në një kampionat tjetër, shumë më taktik në mbrojtje, dhe në një ekip tjetër. A do të thotë kjo se Ronaldo do të shënojë siç bënte në Spanjë? Talenti vlen kudo dhe shpresa është që ai të arrijë kuotën e 40 golave në Serinë A, në Champions apo në Kupën e Italisë.

Gjithsesi, Juventusi duket se ka disa probleme, pavarësisht se kryeson me 12 pikë të plota, tre më shumë sesa Napoli. Goli i pësuar në fund nga Sasuolo ishte një paralajmërim.

Sfidanti.al