Trofeu i Ligës së Kampionëve u dërgua në Kardif nga një uellsian i shquar. Ishte Jan Rash, ish-fitues i Kupës së Kampionëve me Liverpulin, që mori përsipër të ishte protagonist kryesor i ceremonisë tradicionale përpara finaleve, veçse respektoi një tjetër traditë. Si një britanik i vërtetë, Rash e transportoi “kupën me veshë” jo me aeroplan, por me një motoskaf. Krejt sipas historisë së ishujve britanikë, ku deti ishte rruga kryesore e udhëtimit, dhe anija mjeti magjik për shekuj me radhë.
Jo vetëm kaq. Veçantia e ceremonisë në Kardif ishte edhe më e madhe, pasi vazhdimi ishte në një fushë futbolli … pluskuese mbi ujë. Ishte aty që Rash i dorëzoi trofeun kryeminstrit të Uellsit, Karuin Xhons. Rash e preku me dorë për herë të tretë kupën e Championsit, pasi e fitoi dy herë me Liverpulin në 1981 e 1984. Në finale këtë herë do të jenë Juventusi dhe Reali, pikërisht skuadra spanjolle që Liverpuli i Rashit mundi në Paris në 1981. Stadiumi “Millenium” i Kardifit, ndërkaq, do të presë finalen e dytë të madhe, pas asaj të Kupës së Anglisë në 2006.
Sfidanti.al