Mbape apo Mesi? Mosha përcakton më të shtrenjtin e botës!

Observatori i futbollit nuk gënjen, edhe kur nuk nxjerr në vend të parë lojtarin më të mirë të botës. Ky observator, me inicialet CIES, konkludoi se futbollisti më i shtrenjtë në botë, pra me vlerën më të madhe të kartonit, duhet të jetë Kilian Mbape. Kjo, në bazë të disa karakteristikave ku përfshihen talenti, mosha, liga dhe skuadra ku luan. Kjo do të thotë se mund të jesh numri 1 sot për sot në rruzull, siç besohet se është Lionel Mesi, por vlerësimi i kartonit përfshin edhe sesa vite karrierë të ka mbetur, dhe në këtë aspekt, Mesi nuk mund të pretendojë shumë, në moshën 31-vjeçare.

Mbape, sipas Observatorit, vlen virtualisht 218.5 milionë euro, pra më pak sesa rekordi botëror i vendosur nga Nejmar, që u mor për 222 milionë euro nga Paris SG. Në vend të dytë, sipas tij, është Harri Kejni, sulmuesi i Totenhemit, me kosto kartoni prej 200.3 milionë eurosh. Vetëm i treti rekordmeni i transferimeve, pra Nejmar, të cilit i jepet “etiketa e çmimit” 197.1 milionë euro.

Vazhdojnë Rahim Stërling i Mançester Sitit (185.8), Mohamed Salah i Liverpulit (184.3), Paulo Dibala i Juventusit (171.9), dhe më në fund ja ku vjen Lionel Mesi, me vlerë kartoni 171.2 milionë euro. Shumë më keq, Kristiano Ronaldo, vetëm në vendin e 19-të në listë me 127.2 milionë euro, edhe ai për shkak të moshës 33-vjeçare. Dikur, Zhoze Murinjo thoshte se “kur Mesi të mbushë 32 vjeç, gjithë bota do të nisë të qajë”. Duket se sytë janë mbushur me lot, dhe se ai që qesh është Kilian Mbape.

Sfidanti.al