Përpara ndeshjes së zezë ndaj Sociedadit, trajnerit Santiago Solari nuk i përgjigjeshin në apel lojtarë të tillë si Asensio, Mariano, Bejl dhe Markos Jorente, që të gjithë të dëmtuar. Që nga e hëna, mungesa shtesë është ajo e Toni Krosit, pasi mesfushori i rëndësishëm gjerman pati edhe ai lëndimin e vet. Mungesa, sipas “Markës”, do të jetë të paktën 3 javë, ndërsa Reali është shumë i shqetësuar, pasi Kros nuk ishte dëmtuar asnjëherë deri tani. Mos vallë, fiziku i hekurt i gjermanit ka nisur të “bjerret”? Në total, tek Madridi bëhen 31 dëmtime në vetëm 5 muaj!
Përtej dëmtimeve, Solari dhe presidenti i tij, Florentino Perez, kanë edhe shqetësimin e “Santiago Bernabeut”. Jo pak, por gati 30 000 vende bosh ishin në “Koloseumin” madrilen në ndeshjen ndaj Sociedadit. Edhe mesatarja e sezonit nuk është edhe aq e kënaqshme, ndërsa tifozët janë të tronditur nga dobësia në mbrojtje e skuadrës së tyre të zemrës. Një rikthim i Murinjos apo një ardhje e Kontes nuk dëshirohen, sidomos nga kapiteni Sergio Ramos, pra kush duhet të vijë në “Bernabeu” për të kthyer Realin e dikurshëm?
Sfidanti.al