Nuk është plotësisht i kënaqur, por mbetet pjesë e projektit. Marash Kumbulla po kalon një sezon të vështirë tek Roma në Serinë A italiane, e megjithatë klubi i tij ka vendosur që t’ia zgjasë kontratën. Qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare, ka firmosur akordin e ri në kryeqytet që vlen deri në 2027, dy vjet më shumë sesa ishte marrëveshja e mëparshme. Ky veprim nga ana e Romës kryhet sepse duhet stabilizohet bilanci financiar i klubit, dhe duhen amortizuar kostot. Nga ana tjetër, rinovimi i kontratës bën të mundur që kartoni i Kumbullës të jetë në vlera të larta, gjë që do të kishte qenë e pamundur nëse do të kishte mbetur në fuqi firma deri në vitin 2025.
Qendërmbrojtësi kuqezi do të fitojë tashmë një rrogë pak më të lartë sesa më parë, nga 1.3 në 1.5 milionë euro në sezon dhe kjo sepse ka plotësuar numrin e ndeshjeve nën drejtimin e trajnerit Zhoze Murinjo, sipas klauzolave të kontratës. Shpresa është që ai të luajë jo vetëm më shumë ndeshje, por edhe që të ketë më shumë minuta në dispozicion, qoftë në këtë pjesë të mbetur të sezonit, qoftë në edicionin e ardhshëm.
Sfidanti.al