Pretendimet këtë herë janë për të prekur qiellin. Luiza Gega e hodhi hapin e parë shumë premtues drejt realizimit të ëndrrës për t’u shpallur më në fund kampione e Europës. Triumfoi bindshëm në gjysmëfinalen e garës së saj të preferuar, 3000 metrave me pengesa në Kampionatin Europian që po zhvillohet në Mynih të Gjermanisë, duke dalë e para në baterinë e saj me kohën 9’30”93. Edhe pse nuk u sforcua, duke qenë rreth 20 sekonda prapa rekordit kombëtar që e mban po vetë, sërish kjo mjaftoi që Gega të dilte e para në gjysmëfinale dhe të shkojë në finale me kohën më të mirë. Në gjysmëfinalen e saj, la pas turken Gyvenç me gati 1 sekondë, ndërsa polakja Konieçek ishte thuajse 3 sekonda prapa.
Finalja, ku shqiptarja 33-vjeçare do të synojë medaljen e artë, zhvillohet nesër në orën 21:00 në stadiumin legjendar “Olimpiashtadion”, ku dikur kanë luajtur Franc Bekenbauer e Gerd Myler. Gega është në formën e jetës pasi arriti vendin e pestë në Kampionatin Botëror të zhvilluar në Oregon të SHBA-së, rezultati më i mirë i të gjitha kohëve për atletikën shqiptare, me kohën 9:10.04. Po ashtu, mbrojti titullin e kampiones së Mesdheut në Algjeri, ndërsa e ka thyer disa herë rekordin kombëtar. Shpreson ta thyejë përsëri në Mynih nëse gara do të jetë e shpejtë. Në prag të finales, ka rezultatin më të mirë të vitit në të gjithë kontinentin europian, pra mund të cilësohet favorite për titullin dhe për medalje e artë.
Sfidanti.al