Luiza Gega arriti rezultatin më të madh në historinë e atletikës shqiptare duke u shpallur kampione e Europës. Atletja kuqezi triumfoi në garën e 3 000 metrave me pengesa në Kampionatin Europian që po zhvillohet në Mynih të Gjermanisë, duke fituar të parën medalje të artë të Shqipërisë në këtë konkurrim. Sportistja 33-vjeçare e komandoi garën që nga fillimi deri në fund duke lënë prapa rivalet e saj kryesore, ndërsa ishte shumë e emocionuar.
Gega fitoi me kohën 9’11”31, duke mos vendosur dot rekordin e ri kombëtar, por duke marrë medaljen e artë. Në 2016, ajo doli nënkampione e Europës në Amsterdam të Holandës, ndërsa tani u ngjit në shkallën më të lartë të podiumit. Në këtë mënyrë, Gega kurorëzon një vit 2022 të jashtëzakonshëm, në të cilin mbrojti titullin e kampiones së Mesdheut, doli e pesta në botë dhe vendosi disa rekorde kombëtare.