Luiza Gega shkëlqen në “garën e gabuar”, del e dyta në 5 000 metra në Itali!

Nuk e dinte mirë se ku do të konkurronte. Luiza Gega dhe trajneri i saj Taulant Stërmasi udhëtuan drejt Italisë ku morën pjesë në Garën Ndërkombëtarë në qytezën e Oderzos pranë Venecias, të nxitur nga shansi për të thyer një rekord, dhe padyshim për të marrë një shpërblim të rëndësishëm financiar. Në konkurrimin e 5 000 metrave në rrugët e qytetit të vjetër dhe me vlera arkeologjike, atletja më e mirë shqiptare arriti të zinte vendin e dytë, në luftë të fortë me italianen Ludovika Kavali. Kavali dha kohën 15’35”, ndërsa Gega mbeti vetëm dy sekonda prapa, diferencë e vogël në një garë të distancave të gjata.

Gjithsesi, synimi kryesor i kampiones së Europës nuk u arrit pasi ajo synonte thyerjen e rekordit në këtë garë. Stërmasi sqaroi se shkak u bënë kushtet e vështira të itinerarit, që ishte me kalldrëm dhe me disa kthesa tepër të forta, meqë u vrapua në rrugët e qytetit. Për më tepër, reshjet e shiut e bënë kalldrëmin të rrëshqitshëm, ndaj edhe Gega e pati të pamundur të vraponte në maksimumin e mundësive të veta. Gjithsesi, pjesëmarrja ishte një sukses në nisje të sezonit veror, me 33-vjeçaren që synon në të ardhmen të përqëndrohet pikërisht në garat në rrugë.

Sfidanti.al