Luis Suarez me 8 gola këtë sezon, ja pra që Mesi paska pasur të drejtë!

U largua si i pavlefshëm dhe i padëshirueshëm, por deri tani e ka marrë plotësisht hakun e vetvetes. Luis Suarez po cilësohet si një “numër 9 historik” në Spanjë, pasi në vetëm 11 ndeshje shënoi 8 gola për Atletikon, duke e ndihmuar të jetë favorit për titullin, e po ashtu duke zëvendësuar më së miri Diego Kostën. Edhe pse nuk ka shpejtësinë që e bënte të dallohej tek Liverpuli e tek Barcelona, sërish 33-vjeçari (në janar bën 34) është tepër i rrezikshëm në zonën e rreptësisë.

Atletiko pati nevojë për një futbollist të nivelit të “Këpucës së Artë Europiane” që fitoi në 2014 dhe 2016, një njeri që nuk fal para portës. Imagjinoni, uruguajani ka shënuar 8 gola në 11 ndeshje, pa asnjë penallti, dhe me vetëm 12 gjuajtje drejt kuadratit (!!!). Sezonin e kaluar, shënuesi më i mirë i Atletikos ishte Morata me 14 gola, ndërsa Suarezi po e mbërrin edhe pse ka luajtur vetëm 11 herë. Shumë pak lojtarë të Atletikos kanë pasur këtë ritëm, vetëm Forlan, Falkao, Diego Kosta dhe David Vija. Falë golit të tij, madrilenët fituan 1-0 ndaj Getafes dhe e mbyllën vitin në krye të La Ligës, ndërsa Suarezi po i afrohet kuotës së 500 golave në karrierë (489 deri tani).

Sfidanti.al