Lojtarët e Totenhemit ndihen keq prej … presidentit dhe trajnerit!

Janë milionerë, dhe vështirë se mund të quhen “proletarë” apo edhe më pak, skllevër. Gjithsesi, edhe futbollistët profesionistë të Premier Ligës e ndjejnë peshën e rëndë të pabarazisë, pavarësisht se paguhen 100 000 paundë stërlina në javë apo edhe më shumë. Ky është rasti i Totenhemit, të paktën siç raporton tabloidi “Deili Meil”.

Kjo e përditshme shkruan se katastrofat e fundit të Spërsave, 2-7 me Bajernin e 0-3 me Brajtonin, janë pasoja të gjendjes së rëndë shpirtërore të lojtarëve që ndihen pa besim, të mbingarkuar, të keqpaguar, si dhe xhelozë për rrogën prej 6 milionë paundë stërlina në vit të presidentit Daniel Levi. Po ashtu, ndihen keq për shkak të luhatjeve të humorit të trajnerit Maurisio Poçetino.

“Totenhemi është kthyer si një regjim diktature, – citon gazeta një burim anonim, – lojtarët janë të lodhur nga presidenti, nuk ka ekuilibër, lojtarët ndjejnë se atyre nuk u beson askush nga drejtuesit”. Gjithsesi, problem për Spërsat është dëshira që patën disa nga lojtarët për të ikur. Kristian Eriksen e bëri të qartë publikisht, Jan Vertongen ka edhe 1 vit kontratë, ndërsa Deni Rouz ka dashur gjithashtu largimin. Këtyre u duhen shtuar Dele Ali në formë shumë të dobët, dhe sulmuesi Harri Kejn, që gjithashtu besohet se dëshiron largimin.

Sfidanti.al