E kanë marrë edhe lejen e fundit, por rreziku mbetet. Lojrat Olimpike do të vazhdojnë sipas planit në kryeqytetin e Japonisë, Tokio, dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë e ndezi “dritën jeshile”, veçse i rezervoi vetes të drejtën për t’i anuluar në minutën e fundit. Shqetësimi është i madh sepse mbi 70 raste Kovidi janë identifikuar në Fshatin Olimpik, ku ende nuk kanë arritur të gjithë sportistët, ndërsa situata vështirë se do të jetë plotësisht nën kontroll.
Olimpiada nis të premten pasi u shty për një vit për shkak të pandemisë, ndërsa Japonia po kalon një tjetër valë të koronavirusit, dhe vendosi të ndalonte të gjithë tifozët nëpër ndeshje. Kreu i Organizatës, Tedros Adhanom Gebrejesus, që mbajti një fjalim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, theksoi rrezikun e madh që po kalon bota për shkak të koronavirusit. “Pandemia është një test në të cilin bota po dështon, – tha Gebrejesusi, – më shumë se 4 milionë njerëz kanë vdekur deri tani dhe vazhdojnë të vdesin. Këtë vit, shifrat janë dyfishi i vjetshëm. Derisa unë të përfundoj këtë fjalim, mbi 100 njerëz do të vdesin, dhe derisa të shuhet flaka olimpike në 8 gusht, më shumë se 100 000 njerëz do të shuhen”.
Rastet e reja ditore në rajonin metropolitan të Tokios janë mbi 1 000 në ditë, ndërsa në Japoni kanë humbur jetën deri tani mbi 15 000 njerëz. Rreth 11 500 sportistë pritet të garojnë në Lojrat Olimpike, si përfaqësues të 205 vendeve të ndryshme. Shqipëria ka 9 sportistë, ndërsa Kosova 11.
Sfidanti.al