“Llotaria” ishte me Murinjon, por a thua u ringjallën “djajtë”?!

Një sezon tepër i vështirë, edhe pse shpresa mbetet Mançester Junajtid thuajse u ndëshkua në sfidën e radhës në Premier Ligë, një duel në fushën e Bornmuthit që përmblodhi mënyrën sesi po shkon ky vit sportiv.

Të besuarit e Zhoze Murinjos rrezikuan të humbisnin ndaj një rivali jo me emër të madh, por tepër të fortë në fushën e lojës. Fati i ndihmoi, por po ashtu duket se trajneri portugez po di të motivojë lojtarët e tij që të reagojnë në momentet më të vështira.

Antoni Marsial dhe Markus Rashford ishin autorët e golave për fitoren 2-1, në një ndeshje që mund t’i kishte pasur të tre rezultatet. Gjithsesi, pas një pjese të parë tepër të vështirë, Junajtid reagoi pas pushimit, dhe pse goli i fitores erdhi në sekondat e fundit. “Djajtë e kuq” janë tashmë me 20 pikë në renditjen e Premier Ligës, jo shumë larg zonës Champions.

A mund të thuhet se ekipi i Murinjos e kaloi krizën dhe se tani mund të pretendojë për trofe? Vetë portugezi nuk ka dashur të flitet për titullin, pasi diferenca me skuadrat e kreut është ende e madhe.v Mançester Siti, Liverpuli dhe Çelsi janë për momentin më të fortë.

Për më tepër, duhet pritur e duhet parë nëse trajneri do të arrijë të sheshojë konfliktet me lojtarët e tij, sidomos me Pol Pogbanë, si dhe me drejtuesit e klubit. Nëse në “Old Traford” nuk do të ketë qetësi, është e pamundur të flitet për suksese të Mançester Junajtidit.

Sfidanti.al