Ai lindi 34 vjet më parë në një provincë jugore të Anglisë, që e kishte marrë emrin nga vahu ku drerët kalonin lumin. Djaloshi nga Hertfordshajëri, me emrin Ljuis dhe mbiemrin Hamilton, shpejt do ta zbulonte pasionin e tij, dhe po ashtu gjithë bota do ta zbulonte talentin. Në një ditë me diell e me qiell blu në Teksas, Hamilton fitoi titullin e 6-të botëror, dhe ata që e kanë ndjekur që nga shtëpia e lindjes mund të thonë: “Sa shumë bëri përpara ky djalë”!
Titulli i 6-të në Formula 1 u sigurua pas vendit të dytë në Çmimin e Madh të SHBA-së në Ostin të Teksasit, menjëherë pas shokut të tij të skuadrës tek Mercedesi, Valteri Botas. Anglezit i mjaftonin edhe shumë më pak pikë, por ai deshi ta fitonte garën, veçse u pengua nga gomat. Në mbyllje, 4 xhiro para fundit, u parakalua nga Botasi, por Hamiltonit do t’i kishte mjaftuar edhe vendi i 8-të.
Në këtë mënyrë, ai la pas legjendën Huan Manuel Fangio, që ka 5 tituj, të mbiquajtur “El Maestro”. Vetë Hamilton e cilëson Fangion si më të madhin, duke e quajtur “Padrino”! Kampioni i botës ka tani 381 pikë ndaj 314 të Botasit, dhe 249 të Leklerkut. Objektivi i vetëm për t’u mbërritur është legjenda Mikael Shumaher, 7 herë kampion i botës.
Sfidanti.al