Këto lotë duhet t’i derdhin tifozët. Shumë vjet më parë, Zhoze Murinjo u shpreh se kur Lionel Mesi të mbushë 32 vjeç e gjithë bota do të qajë, e pra ç’mund të themi sot, kur legjenda e futbollit shuan qiritin e 35-të? Gjithsesi, tifozët do t’i fshijnë sytë, ashtu siç bëri vetë “magjistari” i topit pasi u largua nga Barcelona dhe u ngushëllua tek Paris SG. Për fat, në formë digjitale do të mbeten heroizmat e tij në fushën e lojës, aksionet, golat, asistët dhe gjithçka tjetër që ka bërë dhe bën një futbollistë jashtë klasi, i cili padyshim që mund të ketë krahasim vetëm me një Pele apo Maradona. Argjentinasi i lindur në Rozario në 24 qershor 1987, u krijua në Akademinë e famshme “La Masia” të Barcelonës, dhe thuajse gjithë jetën luajti aty. Që nga mosha 13-vjeçare, ai hodhi të gjitha hapat deri në ekipin e parë në “Kamp Nou” ku shkruajti historinë. Me fanelën “blaugrana” fitoi gjithçka, plot 35 trofe, 10 tituj në La Ligë, 4 Champions e shumë të tjera.
Theu rekordin e golave dhe të asisteve në La Ligë dhe në Spanjë, dhe ishte pjesë e skuadrës ndoshta më të madhe të futbollit për të gjitha kohët me trajnerët Guardiola e Luis Enrike. Me Paris SG ende nuk e ka treguar veten edhe pse doli kampion, por kjo nuk mund t’i prishë punë aspak trashëgimisë së tij, ndërsa presidenti i klubit, Al Helaifi, beson se sezonin e ardhshëm do të shohim Mesin më të mirë të të gjitha kohëve. Me Argjentinën fitoi Kupën e Botës për të rinj në 2005, më pas Lojrat Olimpike në 2008 në Pekin, ndërsa vitin që kaloi arriti të fitonte Kupën e Amerikës. Është apo jo, Lionel Mesi më i miri i të gjitha kohëve? Historia do ta japë përgjigjen më vonë, por mund t’i afrohet këtij statusi nëse ia del të realizojë ëndrrën më të madhe, të bëhet si Maradona dhe të fitojë Kupën e Botës me Argjentinën këtë dimër në Katar.
Sfidanti.al