Lionel Mesi arrin në 102 gola me Argjentinën, por a mund ta mbërrijë Ronaldon?!

Mund të mos e arrijë dot rekordin, por kjo për të nuk ka shumë rëndësi. Lionel Mesi shkëlqeu në ndeshjen e dytë për Argjentinën pas Kupës së Botës, duke shënuar tri herë në miqësoren kundër Kuraçaos. Kapiteni, fillimisht mori trofeun e fituar në Katar, në një ceremoni organizuar për nder të dhjetëra mijë tifozëve në “Estadio Uniko Madre de Siudades”. Pas kremtimit të dytë për titullin botëror, pas atij në Lindjen e Mesme, Mesi tregoi formën e tij duke shënuar golin e parë, të tretë dhe të pestë për Argjentinën. Tashmë, 35-vjeçari është në vendin e tretë në renditjen e shënuesve të kombëtareve për të gjitha kohët.

Përpara “Pleshtit” janë vetëm Kristiano Ronaldo me 122 rrjeta dhe ish-rekordmeni Ali Daei i Iranit me 109. Mesi padyshim që mund ta arrijë vendin e dytë. Edhe pse nuk është në nivelet e disa viteve më parë, kur ishte më i ri, sërish superylli po zhvillon një sezon të shkëlqyer nga ana individuale. Ai ka shënuar gjithsej 34 gola e ka shërbyer 22 asistë në 43 ndeshje, nga të cilët 16 rrjeta e 5 asiste vetëm për Argjentinën. Në fitoren 7-0 ndaj Kuaçaos, rrjetat e tjera për argjentinasit i shënuan Nikolas Gonzales, Enzo Fernandez, Angel Di Maria dhe Gonzalo Montiel.

Sfidanti.al