Levandovski “ngrin” bavarezët: Epoka ime tek Bajerni ka marrë fund!

Nuk është hera e parë që flet, por kaq hapur nuk kishte ndodhur. Robert Levandovski zgjodhi që të bënte një deklaratë “bombë” që nga Varshava, ku ndodhet në grumbullimin e kombëtares së Polonisë për Ligën e Kombeve. Kapiteni i polakëve foli për të ardhmen e tij në konferencën e shtypit. “Epoka ime tek Bajerni ka marrë fund, – deklaroi superylli,- unë nuk shoh asnjë mundësi që të vazhdoj të luaj sërish për atë ekip. Mendoj se një transferim do të ishte gjëja më e mirë për të dyja palët. Kam bindjen se Bajerni nuk do të më pengojë. Bajerni është një klub serioz dhe nuk besoj se do të më mbajnë me zor”.

Në fund të sezonit të Bundesligës, Levandovski ishte shprehur se me shumë gjasë ajo kishte qenë ndeshja e tij e fundit për Bajernin, por nuk kishte thënë prerë se nuk do të vazhdonte. Këtë herë është ndryshe, dhe tek Bajerni janë kapur në befasi, por edhe janë shqetësuar e zemëruar. Anëtari i bordit drejtues, Oliver Kahn nuk vonoi të përgjigjej. “Unë nuk e di se përse Roberti zgjodhi këtë rrugë, – deklaroi ai për televizionin gjerman “Sport1”, – këto deklarime publike nuk japin asgjë zgjidhje. Roberti u bë lojtari më i mirë i botës dy herë duke luajtur me ne. Mendoj se ai duhet ta ketë mirë parasysh se çfarë do të thotë Bajerni për të”. Levandovski luan në Mynih prej 9 vitesh, duke fituar 9 tituj kampion, Championsin e shumë trofe të tjera, duke u shpallur vjet Lojtari më i mirë i FIFA-s për 2021-in si dhe duke shënuar 344 gola në 374 ndeshje.

Sfidanti.al