NBA, Bostoni mbijeton në Majemi, arrin finalen e parë në 12 vjet

Janë rekordmenë të titujve, bashkë me Lejkërsat, dhe madje kanë një shans që ta kthejnë sërish ekipin në majën historike të NBA-së. Boston Sëlltiksat i dhanë fund një finaleje të Konferencës Lindore me një tjetër fitore jashtë fushe, duke arritur në finale të basketbollit amerikan. Aty do t’i presin yjet e Golden Stejtit. Dueli me Majemin ishte i gjithi me fitore jashtë dhe humbje brenda, dhe ndeshja e shtatë e përcaktuese nuk bëri dallim. Fitoi Bostoni në Floridë me shifrat 100-96 duke arritur për herë të parë një kualifikim të tillë jashtë fushe që nga viti 1974, kur yjet e atëhershëm mundën Miluokin. Xhejzën Tatëm shënoi 26 pikë, Braun e Smart patën nga 24 dhe miqtë përballuan shkëlqimin e Xhimi Batlerit që shënoi 35 pikë. Bostoni ishte gjatë gjithë kohës në avantazh, ashtu siç ishte Majemi në ndeshjen e kaluar. Me gjasë, falë mbrojtjes së tyre tepër të fortë, yjet nga Bostoni mund t’ia dalin edhe ndaj Golden Stejtit, edhe pse kalifornianët do të kenë avantazhin e shtëpisë.

Sfidanti.al