Me gjasë mund të bëhet shënuesi më i mirë i të gjitha kohëve në NBA, dhe ndoshta mund t’ia marrë Majkëll Xhordanit vlerësimin si lojtari më i mirë i historisë. Derisa t’i bëjë këto, Lebron Xhejmsi duhet të kënaqet me gjëra të tjera, dhe nuk ishte gjë e vogël që ai kaloi Kobi Brajantin në renditjen e shënuesve të NBA-së. Kjo ndodhi në ndeshjen e Lejkërsave në Filadelfia. “Mbretit të basketbollit” i duheshin vetëm 18 pikë, por ai shënoi plot 29, dhe tani ka 33 655 pikë në karrierë, ndaj 33 643 të Brajantit.
“E takova Kobin kur isha adoleshent, në një kamp basketbolli, – tregon legjenda e sotme, – dhe i kisha bërë veshët pipëz për të thither çdo fjalë. Ai më tha se nëse doja të bëhesha kampion i madh, duhej të punoja shumë”. Lebroni punoi shumë, dhe vazhdon ta bëjë, ndaj edhe ka shanse të mundshme për të mbërritur dy shënuesit që janë përpara tij. Karl Malouni ka 36 928 pikë, dhe Karim Abdul Xhabari është i pari me 38 387, e sipas parashikimeve në NBA, Lebronit mund t’i duhen 3 sezone në nivel të lartë për t’u bërë i pari.
Vlen të theksohet se të katër më të mirët, Xhabari, Malouni, Brajanti e tani Lebroni e kanë veshur fanelën e Lejkërsave në karrierën e tyre. Gjithsesi, festa nuk qe e plotë për Xhejmsin, pasi Filadelfia e fitoi ndeshjen 108-91, pavarësisht Lebronit dhe 31 pikëve të Entoni Dejvisit. Lejkërsat mbeten në vend të parë në Perëndim me 36 fitore e 10 humbje.
Sfidanti.al