Futbolli dominues, shkruajnë gazetat italiane, nuk është vetëm ai i Sarrit, por edhe i Atalantës. Madje, bergamaskët do t’i bënin me turp kampionët e Juventusit nëse do të krahasohej realizimi i golave, sepse ata kanë 57 ndaj 39 të “Zonjës së Vjetër”. Kur ke Iliçiçin, Papu Gomezin dhe Zapatën, ç’të duhen CR7-ta, Higuaini dhe Dibala?! Gjithsesi, trajneri Gasperini e ka mendjen tek Interi, edhe pas fitores 7-0 në fushën e Torinos.
“Më mirë do të kishte qenë nëse Muriel do të kishte realizuar penalltinë ndaj Interit, sesa këtë sot (dje), – tha ai, – nëse ne do të luanim gjithnjë kështu, do të ishim në krye të renditjes, por ka raste kur kemi rënie fizike dhe përqëndrimi”. Gasperini ka aq përvojë sa të dijë se është e pamundur që një skuadër e vogël si Atalanta të mos ketë rënie të tilla. Atalanta ka 38 pikë, dhe është pranë zonës Champions, por duhet të luajë gjithnjë kështu për të shmangur konkurrencën e Romës madje edhe të Milanit. Aq më tepër, që shpejt do të nisin ndeshjet e turit të dytë të Ligës së Kampionëve, dhe bergamaskët do të jenë të ngarkuar.
Sfidanti.al