Lacio-Frankfurt, futboll, politikë dhe betejë tifozësh

“Në zemër të Europës”, është himni i tifozëve të Ajntrahtit të Frankfurtit, një këngë tifozësh e rrëmbyer nga futbolli. Nuk mund të kishte titull më domethënës, për ndeshjen që skuadra e tyre e zemrës luajti në “Qytetin e Përjetshëm”, në Romën që për qindra vjet ishte pikërisht në zemër të Europës.

Përkrahësit gjermanë u treguan të denjë për këtë rast të madh, pasi e kthyen Romën vërtet sikur të ishte qyteti i tyre. Plot 10 000 tifozë kishin prerë biletë dhe u ndodhën në stadiumin “Olimpiko”. Përballë tyre ishin vetëm 2 000 vendas, të gjithë ultras, ndërsa “njerëzit e zakonshëm” i qendruan larg stadiumit për shkak të motit të ftohtë. Frankfurti ia ktheu me të njëjtën monedhë publikut të tij, duke fituar 2-1 ndaj Lacios, e duke e mbyllur fazën e grupeve në vend të parë.

“Ju jeni të mrekullueshëm”, – ishte thirrja e presidentit të Ajntrahtit, Peter Fisher, në përfundim të ndeshjes, ndërsa përdori foninë e stadiumit. Ata ishin vërtet të tillë, aq sa një gazetar gjerman i tha një kolegu të tij se “kush e pati mendjen tek ndeshja, gjithçka kishte të bënte me tribunat”.

Sidoqoftë, tifozët sollën edhe tensione me përplasje në qendër të Romës, dhe me arrestimin e disave prej tyre, ndërsa nuk munguan të plagosurit. Në kryeqytetin e Italisë nuk ishte vetëm një betejë sportive, por edhe politike. Ultrasit e Frankfurtit, janë vëllazëruar me ata të Atalantës, dhe njihen si të majtë, ndërsa ata të Lacios, si të djathtë.

Përsa i përket ndeshjes, italianët kaluan në avantazh me golin e Korreas në 56’. Mijat Gaçinoviç barazoi 9 minuta më vonë, dhe ishte po ai që dha asistin për Sebastian Halerin, që vulosi shifrat 2-1. Frankfurti arriti 6 fitore në 6 ndeshje në grupin H, Lacio doli e dyta dhe u kualifikua gjithashtu, ndërsa Marseja u mund nga Apolloni i Limasolit në Francë (1-3), dhe e mbylli grupin me vetëm 1 pikë.

Sfidanti.al