Për ta, hierarkia vështirë të ndryshojë. Kush nuk do të donte një Kupë Bote me surpriza dhe përmbysje, veçse nuk është ky skenari që parashikojnë tre prej figurave të mëdha të së kaluarës. Janë Pele, Diego Armando Maradona dhe Bora Milutinoviç që flasin për Rusi 2018.
Tri herë kampioni, Pele, ka shpresë për kombëtaren e vendit të tij, Brazilin. “Natyrisht unë dua që të fitojë Brazili, por futbolli është një kuti plot me të papritura, – thotë Pele, – Gjithsesi, kam besim sepse Tite, trajneri i ri, e shfrytëzoi siç duhet kohën për të krijuar ekipin siç duhet. Ju e dini se ne kemi një numër të madh lojtarësh të shkëlqyer në Europë. Problemi është që ata të kthehen në një ekip. Nejmari është shumë i rëndësishëm për ne, dhe besoj se do të jetë gati. Pretendentë për Botërorin do të jenë edhe Argjentina e Mesit, Gjermania, Anglia apo Franca”.
Po Maradona, legjenda që rivalizon me Pelenë për titullin e më të madhit të të gjitha kohëve? Ai shqetësohet për Argjentinën e tij. “Përsa i përket përgatitjes së skuadrës, nuk jam dakord me mënyrën sesi u bë, – është shprehur që më parë Diego, – Është një mister i madh për gjithë argjentinasit, sesi do të luajë kombëtarja në Botëror. Duhet të shohim nëse mund të fitojmë me lojtarët që kemi. Kemi Mesin, Agueron, Higuainin, kemi Romeron në mbrojtje. Për mendimin tim, mund të fitojë Gjermania, Spanja apo Franca. Sa për Brazilin, duhet parë sesa është rikuperuar Nejmari, ndonëse mendoj se Tite po e drejton ekipin në rrugën e duhur”.
Ja edhe Bora Milutinoviç, trajneri serb që mori pjesë në 5 Botërorë me 5 skuadra të ndryshme, asnjërën të madhe, dhe që kualifikoi 4 prej tyre në turin e dytë.
“Favoritët mbeten gjithnjë të njëjtit, – vlerëson ai, – Në Amerikën e Jugut është Brazili, është edhe Argjentina edhe pse u paraqit dobët në eleminatore. Ata kanë Lionel Mesin. Në Europë kemi Francën, Gjermaninë dhe Spanjën. Unë mendoj se këto 5 skuadra do të luftojnë për titullin. Shpresoj të ketë ndonjë të papritur, por më duket e vështirë”.
Sfidanti.al