Kurrë mos e nënvleftësoni, Italia me “shtatë shpirtra” në Poloni

Një skuadër katër herë kampione të botës nuk është mirë të nënvleftësohet. Italia pra, ishte e qartë se do të luftonte deri në frymën e fundit në Poloni, dhe pikërisht kështu arriti fitoren e parë të trajnerit Roberto Mançini në një ndeshje zyrtare. Kristiano Biragi realizoi në minutën e 92-të, duke zbritur polakët nga kategoria në Ligën e Kombeve, dhe duke i dhënë “të kaltërve” shpresë për të arritur kualifikimin për në gjysmëfinale.

Italia e meritoi fitoren pasi goditi dhe dy herë shtyllat, në një ndeshje që ishte pak të quhej vendimtare, ndonëse nuk e ka ende fatin e saj në duart e veta. Edhe nëse fiton me Portugalinë në fushën e vet, sërish do të eleminohej nëse portugezët do të fitonin me polakët në sfidën e fundit, që e kanë pikërisht në Portugali. Gjithsesi, Mançini dhe djemtë e tij le të gëzohen për të tashmen, pasi kritikat ishin të shumta pas barazimit me Poloninë në Gjenovë.

Sfidanti.al