Linkoln Siti është një skuadër që luan në kategorinë e pestë angleze. Edhe pse në Angli, edhe kategoria e pestë quhet profesioniste, kuptohet se për Linkolnin rrogat nuk vlejnë “një grosh” në krahasim me Premier Ligën. Kjo gjë nuk e pengoi skuadrën e vogël që të shkaktonte një tronditje të madhe (ndonëse Anglia është mësuar me to), duke mbërritur në raundin e pestë të Kupës së Anglisë.
Do të thotë se ekipi që ka mbi vete plot plot 100 skuadra, që nga Premieri e deri në kategorinë e pestë, ka mbërritur në fazën kur kanë mbetur vetëm 16 ekipe, pra në të tetat e kompeticionit më të vjetër në botë. Linkolni e bëri këtë duke eleminuar Brajtonin (3-1), që vjet doli në vend të tretë në kategorinë e dytë. Pauer, Tomori dhe Robinson përmbysën golin e miqve me autor Tauellin.
Suksesi gjithashtu nuk ndodhte që në kohë tepër të vjetra. Linkoln Siti kishte arritur në të tetat e Kupës për herë të fundit në vitin … 1887, pra 130 vjet më parë. Ishte epoka kur në Kupën e Anglisë luanin ende skuadra skoceze, dhe Linkolni atë vit u eleminua pikërisht nga Gllazgou Rejnxhërs.
Linkolni është vërtet historia më e veçantë, por Kupa ka edhe të tjera. Saton Junajtid i kategorisë së pestë, do të luajë një ndeshje tjetër ndaj Lidsit për të përcaktuar se kush do të shkojë në të tetat. Oksford Junajtid i kategorisë së tretë, eleminoi Njukasëllin që kryeson kategorinë e dytë.