Kumbulla fiton edhe 90’ në Serinë A, por Roma mezi shpëton nga humbja!

Zhoze Murinjo deklaroi se nuk ishte ky rezultati për të cilin u udhëtua drejt Sasuolos, ndërsa kritikoi gazetarët duke thënë se “tani mos thoni se nuk jemi të bashkuar”. Trajneri i Romës, edhe pse mund të ndihej i çliruar pas barazimit 2-2 në “Mapei Stadium”, sërish nuk dëshironte të hiqte dorë nga virtyti i tij për të kërkuar gjithnjë maksimumin. Ishte një ndeshje e fortë ajo e Serisë A, ku Marash Kumbulla ishte titullar dhe luajti deri në fund. Mbrojtësi 21-vjeçar i kombëtares fitoi edhe rreth 90-97 minuta në elitën e futbollit italian, që padyshim do ta ndihmojnë për t’u rritur, edhe pse ishte në formacion për shkak të dëmtimit të Ibanjezit në mbrojtjen verdhezi me 3 lojtarë.

Kumbulla nuk bëri gabime, ndërsa ato i bënë të tjerët si portieri Rui Patrisio në golin e barazimit të Sasuolos, dhe Karsdorp kur vendasit kaluan në avantazh me Traoren. Shqiptari u tregua i kujdesshëm dhe ndërhyri të paktën tri herë në mënyrë vendimtare, ndaj Defrelit dy herë në pjesën e parë, dhe ndaj Berardit pas pushimit. Pati disa kritika për të në duelet me Berardin, ndaj nuk mori notë më të lartë se 6, por sërish u cilësua më i miri i repartit të mbrojtjes.

Sfidanti.al