Barça barazon në fund, Keidi Bares i ikën nga duart fitorja historike!

Nëse do të ishin mbajtur deri në fund, Keidi Bare me shokë do të kishin arritur fitoren e parë në derbin e Katalonjës në shtëpi, pas 15 vjetësh. Një gol në sekondat e fundit të shtesës nga sulmuesi i padëshiruar holandez, Luk De Jong, bëri që Barcelona të shpëtonte nga humbja në stadiumin e Espanjolit, diçka që edhe mund ta kishte merituar. Mediat katalanase shkruajnë se “Barça zhbëri gjithçka të mirë që arriti në fitoren 4-2 ndaj Atletikos”. Pedri e kaloi në epërsi, por pastaj Darder barazoi. Gavi u mendua se ia kishte kthyer avantazhin “blaugranëve”, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Pastaj De Tomas shënoi të dytin shumë bukur, dhe u desh De Jongu në 96’ për të shpëtuar pikën.

Derbi ishte i ashpër, edhe pse Barça mbajti topin 62 për qind, diçka që e ka specialitet. Po ashtu, edhe pse gjuajti më shumë drejt portës, sepse gjuajtjet në kuadrat ishin thuajse baraz. Mesfushori i kombëtares shqiptare ishte në fushë për 62 minuta si titullar, duke marrë edhe një karton të verdhë e duke luftuar fort për aq sa pati mundësi. Edhe pse në fushë ishin Adama Traore, Ferran Torres, Obamejang dhe pastaj Usman Dembele, sërish skuadra e Ksavit nuk tregoi dot “dhëmbët”, madje De Jong bëri më shumë se të gjithë këta së bashku. “Na vjen keq për këtë ndeshje, – tha Pedri më pas, – jemi Barcelona dhe duhet të bëjmë më shumë”. Pas këtij barazimi, Barça mban vendin e 4-ët me 39 pikë, po aq sa Atletiko.

Sfidanti.al