Kualifikohet Olimpiakosi, vetëm një ekip turk në finalen e Euroligës

Pasi përmbysi rezultatin jashtë fushe, e pati më të lehtë në Arenën e tij. Olimpiakosi, gjithsesi, pati nevojë për të 11 000 tifozët në Pallatin e Sportit “Paqja dhe Miqësia” në Athinë për të eleminuar Anadolu Efesin e Stambollit. Rezultati përfundimtar 87-78 dhe mbyllje me 3 fitore e 2 humbje të çerekfinaleve në plej ofin e Euroligës. Skuadra greke do të luajë në “Final Four” në Stamboll ndaj Fenerbahçes vendase, Realit të Madridit dhe CSKA-së së Moskës (kampione e Europës në fuqi).

Vasilis Spanulis ishte edhe një herë më i miri për vendasit, me 22 pikë dhe 6 asiste, ndërsa greku tjetër Jorgos Princezis realizoi 14 pikë. Amerikani Erik Grin pati 10 pikë, ndërsa kanadezi Hem Birç shënoi 9 pikë, por kapi 11 topa në tabela. Për turqit, luajtën mirë 6 lojtarët kryesorë, por ekipi i trajnerit kroat, Velimir Perasoviç nuk pati përvojën e duhur.

Sfidanti.al