Ky vit është padyshim një sukses. Ernest Muçi vazhdon ta tregojë veten ndeshje pas ndeshjeje tek Legia e Varshavës, dhe golat e asistet e tij nuk janë aspak të parëndësishëm, ndonëse nuk është qendërsulmues. Futbollisti ofensiv kuqezi realizoi rrjetën e pestë këtë sezon të kampionatit të Polonisë, që njihet me emrin Ekstraklasa, ndërsa Legia fitoi në stadiumin e saj ndaj Jagiellonias. Muçi ishte vendimtar sepse tundi rrjetën për shifrat 2-1, që ishte edhe rezultati përfundimtar i një ndeshjeje të vështirë dhe të luftuar deri në sekondat e fundit. Për ish-sulmuesin e krahut të Tiranës këtë edicion ka jo vetëm 5 gola në 30 ndeshje të kampionatit, por edhe 7 asistë.
Statistikat thonë se Muçi ka luajtur në gati 70 për qind të minutave të mundshme dhe ka marrë pjesë në 22 për qind të golave të Legias. Bashkë me të, në ekipin kryeqytetas luan edhe mesfushori Jurgen Çelhaka, që gjithashtu ka qenë pjesë e Tiranës. Të dy shqiptarët fituan pak ditë më parë Kupën e Polonisë, në finalen që Legia e mori ndaj Rakovit të Çestohovës, pra po e përfundojnë sezonin me një trofe. Futbollisti 22-vjeçar shpreson të jetë pjesë e kombëtares në ndeshjet eliminatore të Europianit në qershor ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe.
Sfidanti.al