Konflikti në Itali ka marrë përmasa serioze. Fakti që Inter-Napoli nuk u ndërpre pavarësisht koreve raciste kundër Kulibalit, solli polemika të ashpra, dhe një akuzë e fortë u bë nga Napoli. Kryetari i bashkisë së qytetit, Luixhi De Maxhistris, iu lëshua ministrit të brendshëm, njëkohësisht zv. kryeministër, Mateo Salvinit.
“Si mund të ndërpritej ndeshja Inter-Napoli në një vend që jeton gjithnjë e më shumë me racizëm shtetëror, – shkruajti De Maxhistris në Tuiter, – dhe që ka në qeveri, një ministër të brendshëm, që duhet të garantojë sigurinë nëpër stadiume, por që disa vjet më parë, këndonte kore kundër napolitanëve?”
Acarimi ishte i plotë në “San Siro”, pasi gjyqtari Maxoleni nuk e ndërpreu ndeshjen asnjëherë, por menjëherë dha karton të kuq për Kulibalin, sapo ky duartrokiti në mënyrë ironike një vendim të tijin. Presidenti i Napolit, De Laurentis, e sulmoi ashpër Maxolenin, ndërsa kritika pati edhe nga trajneri Karlo Ançeloti.
Sfidanti.al