Nuk e kishte imagjinuar se do të kishte luajtur kaq pak. Kristjan Asllani u bashkua me Interin, i vlerësuar lart për paraqitjet tek Empoli, por me trajnerin Simone Inzagi po e sheh shumë pak fushën e lojës. Në 5 ndeshjet e fundit të zikaltërve, mesfushori i kombëtares shqiptare ka luajtur vetëm 1 minutë, dhe ky është një përkeqësim i situatës së tij në skuadrën e Serisë A. Inzagi po u jep përparësi futbollistëve të tjerë si Brozoviç, Çalhanoglu, Mkitarian madje edhe Galiardinit, ndërsa Asllani po humbet edhe rolin si zëvendësues që e kishte para pak javëve.
Ai ka luajtur vetëm 285 minuta në Serinë A, që do të thotë 13 për qind të totalit, dhe 555 minuta në të gjitha konkurrimet e sezonit, ndërsa siguroi edhe një trofe të rëndësishëm si Superkupa e Italisë fituar në finalen ndaj Milanit. Mesfushori kuqezi e nisi shumë mirë aventurën e tij për Interin, duke qenë aktiv në fazën përgatitore, duke u aktivizuar shpesh e duke shënuar gol e dhënë asiste, por gjatë ndeshjeve zyrtare gjithçka ndryshoi. Sidoqoftë, Inzagi thotë se ka besim tek shqiptari.
Ai shprehet se Asllani mund të luajë si mesfshor në çdo pozicion, por roli i tij më i mirë është organizator i zhvendosur prapa, duke e nxitur që të vazhdojë të punojë shumë. Mediat italiane shkruajnë se shqiptari 20-vjeçar do të jetë pjesë e rëndësishme e projektit të Interit për edicionin e ardhshëm, por për momentin nuk po e sheh fushën me sy.
Sfidanti.al