Kristiano nuk vdes kurrë, 3 gola për finalen e Ligës së Kombeve!

Kombëtarja dhe Championsi janë “domenet” e tij. Ashtu si feudalët e vjetër, Kristiano Ronaldo ka vënë “gardhin” tek ato që i quan toka të vetat të paprekshme, dhe vazhdon të shënojë pa pushim. Njeriu që dikur kritikohej se “zhdukej” në ndeshjet e mëdha, tani është mësuar t’i vendosë në favorin e ekipit të tij, siç bëri edhe në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve ndaj Zvicrës, luajtur në “Estadio do Dragao” të Portos.

Një tjetër tregolësh i juventinit, dhe Portugalia kaloi në finalen që do ta luajë kundër Anglisë ose Holandës. Nëse kurorëzohet gjithçka me sukses, CR7-ta do të ketë dy trofe në sezon, bashkë me titullin kampion në Itali, si dhe dy kupa të rëndësishme me Portugalinë, pas Euro 2016-ës fituar në Francë. Edhe pse nuk quhet një gjeni i futbollit, Ronaldo dëshiron me patjetër të hyjë në “panteonin” e më  të mirëve të historisë, dhe të mos mbetet prapa Mesit.

Ai kaloi skuadrën e tij në epërsi në minutën e 25-të, por Zvicra e Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës nuk u dorëzua aspak, por luftoi fort, madje më mirë sesa vendasit. Mbajti 55 për qind topin, dhe gjuajti 16 herë drejt portës, ndaj 10 të portugezëve. Barazoi me penallti, me ndihmën e VAR-it, ku 11-metërshin e ktheu në gol Rodrigez në 57’. Ndeshja po shkonte tek shtesat, por Ronaldo kishte mendim tjetër, duke mbyllur gjithçka me dy gola të shpejtë në fund, në minutat 88 dhe 90.

Sfidanti.al