“Kujdes kur prek krenarinë e kampionëve”. Spanja e Luis Enrikes duket se e kishte harruar këtë aksiomë të futbollit dhe të jetës, kur shkatërroi 6-0 Kroacinë në përballjen e Ligës së Kombeve në Iberi, por kjo iu kthye në bumerang.
Nuk ishte një katastrofë spanjolle ajo që ndodhi në “Maksimir” të Zagrebit, por humbja 2-3 pati shijen e disfatës së rëndë. Një ekip që u quajt si i rilindur pas Botërorit, pësoi dështimin e dytë radhazi, dhe tani nuk e ka fatin në duart e veta.
Skuadra e kualifikuar për më tej në Ligën e Kombeve do të përcaktohet të dielën në “Uembli”, në ndeshjen Angli-Kroaci që nis në orën 15:00. Vetëm barazimi do të kualifikonte Spanjën, secila skuadër do të kalonte turin në rast fitoreje të dielën.
Kroacia udhëhoqi ndaj Spanjës gjatë gjithë kohës dhe sidomos në pjesën e parë luajti më mirë. Andrej Kramariç shënoi për 1-0 në 54’, barazoi Dani Sebajos në 56’, por mbrojtësi i krahut, Tin Jedvaj, kaloi sërish kroatët në epërsi. Spanja reagoi përsëri shpejt, fitoi penallti dhe kapiteni Sergio Ramos barazoi (pa gjuajtje “Panenka”) në minutën e 78-të. Gjithsesi, në sekondat e fundit (94’), sërish Tin Jedvaj shënoi golin e fitores me kokë pas një goditjeje nga këndi.
Spanja ka 6 pikë në 4 ndeshje (golat 12-7), Anglia ka 4 pikë në 3 ndeshje (golat 4-4), ndërsa Kroacia ka po 4 pikë në 3 ndeshje, ndërsa shënoi këtë mbrëmje tre golat e parë (3-8).
Kroacia: Kaliniç, Vrsaljko, Vida, Lovren, Jedvaj, Brozoviç, Rakitiç (Vlashiç 67’), Perishiç, Modriç, Rebiç (Brekalo 73’), Kramariç (Pjaca 89’). Tr. Daliç
Spanja: De Gea, Sergi Roberto, Sergio Ramos, Martinez, Zhordi Alba, Saul (Suso 74’), Buskets, Sebajos, Rodrigo (Asensio 61’), Aspas (Morata 64’), Isko. Tr. Luis Enrike
Sfidanti.al