Premier Ligën e fitoi me tentativën e parë, dhe Zhoze Murinjo beson se Çelsi është sërish favorit për të dalë kampion. Gjithsesi, Antonio Konte nuk është shumë i sigurt për këtë. Trajneri i bluve deklaroi në konferencën e fundit për shtyp se ka nevojë për 4 vite për të krijuar një skuadër të madhe që të mund të luftojë në çdo front.
“Kemi nevojë për kohë, – tha italani, – katër vjet? Ndoshta po! Që të jesh gati për të luftuar për Championsin, që të bëhesh më i miri në botë, duhet kohë”. Konte nuk bëri parashikime për Premierin, veçse deklaroi se Çelsi duhet të marrë 3-4 lojtarë të tjerë në këto 10-11 ditë që mbeten për transferime.
Gjithsesi, fjalët e tij duket se nuk janë pritur mirë nga pronari dhe presidenti Roman Abramoviç. Mediat shkruajnë se miliarderi rus ka thirrur një “takim krize” për t’i dhënë drejtim punëve tek Çelsi. Të gjithë e dinë sesi u jepet drejtim tek blutë, ku janë ndërruar 14 trajnerë në 14 vjet.
Sfidanti.al