Komentatori legjendar serb Pantiç akuzon Serbinë për ndalimin e Kosovës në Botëror!

Ka qenë një nga zërat më të mëdhenj të televizionit jugosllav të paktën që nga vitet 80-të. Milojko Pantiç ka qenë komentator i shquar i ndeshjeve të futbollit, për ekipin përfaqësues të Jugosllavisë dhe të skuadrave në kampionat e kupat e Europës, ndërsa sot është një intelektual “pa njollë”. Një njeri i kulturuar dhe modern, siç shpesh janë njerëz të sportit, ai nuk ka ngurruar të sulmojë nacionalizmin e skajshëm në vendin e tij, lidhjen e shtetit me krimin dhe shkeljen e të drejtave të njeriut. Së fundmi, Pantiç sulmoi presidentin Vuçiç për shkak se la Kosovën jashtë Kampionatit Botëror të Boksit në Beograd.

“Nuk u mora fare me kampionatin botëror të boksit që u zhvillua në Beograd që nga 24 tetor, – tha Pantiçi, – Kur pashë që autoritetet serbe ndaluan hyrjen në Serbi të ekipit përfaqësues të Kosovës, dhe kur pashë gjithashtu se gjysma e përfaqësueses së Serbisë ishte e përbërë nga boksierë të paguar prej Rusie, vendosa të mos e promovoj këtë manifestim sportiv të politizuar”. Më tej, komentatori i shquar akuzoi qeverinë e vendit të tij. “Hipokrizia e autoriteteve serbe nuk ka kufi, sepse ndalojnë hyrjen e kombëtares që ata e cilësojnë të “të ashtuquajturit shtet të Kosovës”, edhe pse kosovarët janë anëtarë me të drejta të plota të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe të Federatës Botërore të Boksit, – deklaroi ai, – Kjo ndodh ndërsa në Botëror u dhanë medalje me hartën e Serbisë pa Kosovën”.

Sfidanti.al