Kombëtaret “nisin” Botërorin, Katari në festë për Lionel Mesin!

Futbolli i klubeve ndali dhe tani vëmendja është tërësisht e përqëndruar diku tjetër. Koha i takon kombëtareve pasi 32 prej tyre do të luajnë në finalet e Kupës së Botës që nis në Katar të dielën. Le ta nisim me kampionen e rruzullit, Francën, e cila ka nisur grumbullim në qendrën e saj të shklëqyer në Klerfonten. Me gjithë mungesat si Pogba apo Kante, “gjelat” kanë superyjet Mbape, Benzema, Joris apo Varan. Trajneri Didie Deshamp zhvilloi edhe seancën e parë stërvitore, ndërsa Blutë pritet që të shkojnë shpejt në Lindjen e Mesme.

Atje tashmë ka arrritur Argjentina, për të cilën pati interesim të madh, kuptohet për shkak të Lionel Mesit. Superylli 35-vjeçar, që është në Botërorin e fundit, ishte në qendër të vëmendjes, ndërsa rreth 1 000 tifozë ishin në stadiumin ku Argjentina zhvilloi stërvitjen duke thirrur në kor emrin e tij. Brazili, ndërkaq, ka vendosur të grumbullohet fillimisht në Torino, ku Juventusi i ka huazuar qendrën e vet stërvitore të Kortinasës. Trajneri Tite ka një ekip me yje të mëdhenj që shpreson të fitojë Kupën e Botës për herë të parë pas 20 viteve. Me ekipin së fundmi, u bashkuan kampionët e Paris SG,Nejmar e Markinjos.

Drejt Katarit shkoi edhe Gjermania. Katër herë kampionët e botës, të drejtuar nga trajneri Hansi Flik, shkojnë në vendin arab me shpresë për të përsëritur triumfin e 2014-ës, ndërsa në ekip është kthyer optimizmi pas dështimit në Kupën e Botës në Rusi katër vjet më parë.  Anglia, ndërkaq, e ka nisur grumbullimin në qendrën e saj stërvitore të Shën Gjergjit, në pritje për të udhëtuar më pas në Katar. “Tre luanët” nuk janë në formën më të mirë, por trajnerit Sauthgejt nuk i mungojnnë yjet e talentuar sidomos në sulm për të arritur më shumë sesa gjysmëfinalja e Botërorit të kaluar.

Së fundmi, Kristiano Ronaldo është stërvitur bashkë me shokët e tij tek Portugalia pas intervistës shpërthyese të dhënë në Angli kundër Mançester Junajtidit. Superylli luzitan shpreson që Kupa e Botës t’i japë më shumë lumturi.

Sfidanti.al