Kohë antiglobalizmi dhe në FIFA, ndalon La Ligën në SHBA

Ata që kishin planifikuar ndeshje të ligës spanjolle në SHBA kishin menduar për përhapjen globale të njërit prej kampionateve më të fortë të futbollit në botë. Një ndeshje Girona-Barcelona ishte menduar të luhej në Majemi në 26 janar, por ja që edhe në FIFA është kohë antiglobalizmi. Presidenti i saj, Xhani Infantino, e hodhi poshtë propozimin nga La Liga, propozim që për hir të së vërtetës u kundërshtua edhe nga Federata Spanjolle, dhe nga kapitenët e ekipeve në Primera Divizion.

Ja pra, që “efekti Tramp” po shtrihet edhe në futboll, pavarësisht se kjo nuk do të dëmtojë globalizimin e këtij sporti nëpërmjet televizionit dhe turneve të ndryshëm. “Ndeshjet e kampionateve duhet të zhvillohen në vendin të cilit i përket ky kampionat”, – ishte deklarata e Infantinos. Natyrisht, ka arsye për të votuar “pro”, dhe për të votuar “kundër”, por është e qartë se epoka në të cilën jetojmë, është një periudhë frike dhe pasigurie. Për momentin, globalë do të jenë turnetë ndërkombëtarë si Kupa e Botës, Kupa e Konfederatave, Kupa e Botës për klubet, si dhe kompeticionet e ndryshme të klubeve.

Sfidanti.al